TEATRI "ODA" PËR TË RINJTË

E enjte, 06 nëntor 2014

Një mundësi shumë e mirë për fëmijët e moshës 8 deri 11 vjeç dhe 11 deri 14 vjeç. Grupe të fëmijëve në Teatrin ODA, do të kenë mundësinë të jenë pjesë e punëtorive të rregullta javore të cilat do të prodhojnë shfaqje në fund të sezonit, përkatësisht në muajin Qershor. Puna që zhvillohet në grupe i dedikohet të gjithë fëmijëve pa përjashtim dhe pavarësisht talentit që ata mund të kenë për arte skenike apo arte tjera. Përmes lojërave teatrore që praktikohen fëmijët duke punuar bashkërisht zhvillojnë aftësi të reja sociale e psikologjike, zhvillojnë shumë edhe kreativitetin, aftësitë për zgjidhje problemesh, aftësitë komunikuese, forcim të vetëbesimit dhe mbi të gjitha kalojnë nëpër një eksperiencë të këndshme grupore dhe përvojë ekzaltuese të shfaqjes para publikut. Grupet fillojnë punën në nëntor dhe përfundojnë në javën e fundit të qershorit kur edhe parashihet shfaqja e grupit. Punëtoritë mbahen rregullisht çdo javë sipas këtij orari:

Grupmosha 8-11 vjeç: Gjithsej 5 takime gjatë muajit. Të hënave dhe të enjten e parë të muajit prej orës 11-12:30 (me një pauzë të vogël mes dy sesioneve)

Grupmosha 11-14 vjeç: Gjithsej 6 takime gjatë muajit. Të hënave dhe të enjten e parë dhe të fundit të muajit prej orës 14-15:30 (me një pauzë të vogël mes dy sesioneve).

Grupet punojnë në hapësirat e Teatrit ODA. Grupet do të udhëhiqen nga profesionistë të kësaj fushe: Ilire Vinca Çelaj dhe Florent Mehmeti me ndihmën e Genta Retkocerit dhe Vjosa Malokajt.

Puna e grupeve është e konceptuar si kohë e fëmijëve të cilën ata e kalojnë si lojë ku përfitimet janë shumë të mëdha. Përderisa pjesëmarrja në grup është një eksperiencë e lojës grupore shumë të këndshme nuk përjetohet si punë. Kjo e bën përvojën e fëmijëve me përfitime të shumëfishta. Shfaqja e prodhuar nga grupi në fund është më shumë një prezantim i të arriturave të fëmijëve dhe grupit në tërësi.

 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: