KOMUNA E PRIZRENIT ME DEFEKTE NË ZBATIMIN E LIGJIT PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE

E martë, 14 korrik 2015

OJQ EC Ma Ndryshe në kuadër të projektit “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale” ka shqyrtuar efikasitetin e Komunës së Prizrenit në lejimin e qasjes në dokumente publike në përputhje me Ligjin përkatës. Në kuadër të projekteve të saja, EC Ma Ndryshe përgjatë periudhës janar-qershor 2015 në Komunën e Prizrenit ka deponuar mbi 30 kërkesa për qasje në dokumente publike dhe informata, me ç’rast ka evidentuar vonesa që shkojnë në më shumë se dy javë në ofrimin e përgjigjes, derisa disa kërkesa ende janë pa përgjigje zyrtare.

Ndër dikasteret më të papërgjegjshme për ofrimin e qasjes në dokumentet publike është treguar Drejtoria e Inspektorateve, Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike të cilat nuk e kanë parë të udhës që të ofrojnë informatat apo sqarimet e kërkuara bazuar në dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Këto të gjetura edhe njëherë tregojnë se përpjekjet e Komunës së Prizrenit për të siguruar qasje në dokumentet publike në përputhje me dispozitat e Ligjit përkatës janë të pamjaftueshme dhe se nevojitet një mobilizim i shtuar për të garantuar këtë të drejtë për kërkuesit e dokumenteve publike. Në të njëjtën janë konfirmim i një konstatimi të mëparshëm të EC Ma Ndryshe mbi rrjedhën e ngadaltë të informatave dhe dokumenteve nga të gjitha drejtoritë te Zyra për Informim dhe Komunikim, gjë që sjell deri te mos publikimi i vendimeve në kohë reale dhe mos informimi i duhur i publikut për çështje të ndryshme relevante, por edhe defekte në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

EC Ma Ndryshe i bën thirrje edhe njëherë Komunës së Prizrenit që:

- Të zbatoj në përpikëri dispozitat e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike;

- Të rris transparencën, duke i publikuar të gjitha dokumentet publike në ueb faqen e komunës;

- Të eliminoj vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike; dhe

- Të informoj zyrtarët dhe shërbyesit civil mbi rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.  

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: