SË SHPEJTI EDHE GJAKOVA PJESË E KINO KLUBEVE TË DOKUFEST

DokuFest, së shpejti edhe në Gjakovë do të fillojë të formoj klubet e filmit të cilat kanë për qëllim inkuadrimin e filmave dokumentar në mësimdhënie. Përfaqësuesja e DokuFest Znj.Linda Lulla së bashku me Drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit Znj.Diana Qarkaxhija dhe Drejtorin e Shkollës së mesme Hajdar Dushi Z.Bedri Cahani, ranë dakord për ta nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunimin e shkollave të mesme të komunës për formimin e klubeve të filmit të cilat do të udhëhiqen nga vet nxënësit. Ky projekt i ofron shkollave të mesme filma dokumentarë dhe manual metodikë për mësim rreth temave aktuale që kanë të bëjne me të drejtat e njeriut.
Znj. Qarkaxhija ka shprehur gadishmëri për bashkëpunim me të gjitha shkollat e mesme, si dhe për shfrytëzimin e mjeteve të shkollave për shfaqjen e filmave meqenëse involvimi i nxënësve në këto lloj aktivitete është shumë i rëndësishëm për arsye se u hapen rrugë atyre që posedojnë talent dhe kanë dëshirë të prodhojnë filma. Në anën tjetër edhe Z. Cahani shprehu gadishmëri për bashkëpunim meqenëse kjo shkollë e mesme vetëm prodhon filma të metrazhit të shkurtë dhe interesimi i pjesëmarrjes në këtë projekt do të jetë i jashtëzakonshëm. Përparsi tjetër është edhe inkuadrimi i mësimdhënësve të cilët do të trajnohen dhe më pas do tu ligjerojnë nxënësve.
Përpilimi i materialeve shkollore si dhe kooperimi me sistemin e arsimit, ka bërë që DokuFest të jetë një faktor i rëndësishëm në komunitet duke kontribuar në edukimin dhe rritjen e vetëdijes së nxënësve në kuptimin e çeshtjes të së drejatve të njeriut.
Shkolla dhe Filmi Dokumentar Promovimi i vlerave demokratike të të drejtave të njeriut përmes filmit përkrahet nga National Endowment for Democracy NED.