Emra të ri në Kryesinë dhe Sekretariatin e Forumit Kulturor

E martë, 25 tetor 2016

Forumi Kulturor sot mbajti takimin e rregullt të Kuvendit të Anëtarëve, në të cilin u morën disa vendime të rëndësishme. Për shkak të përfundimit të mandatit të njërit anëtar të Kryesisë së Forumit, anëtarët e Forumit Kulturor, në mesin e pesë nominimeve për anëtar të ri të Kuvend, me më së shumti vota e zgjodhën Lulzim Hotin nga organizata 7 Arte dhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Mitrovicë. Në të njëjtën kohë, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Forumit Kulturor u votua Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi dhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren.
 
Gjatë këtij takimi u shqyrtuan edhe kërkesat e organizatave të reja për anëtarësim në rrjet. Anëtarët e Forumit Kulturor votuan në favor të pranimit të gjashtë organizatave të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm të organizatave anëtare në 55. Organizatat e reja anëtare të Forumit Kulturor janë: Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (Prishtinë), Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Prishtinë), Mundësia (Mitrovicë), Qendra Rinore për Inovacion (Pejë), Promotion of Heritage Management West (Pejë), Autostrada Biennale (Prizren). Gjatë takimit të Kuvendit të Anëtarëve u diskutuan edhe u ndryshuan edhe disa politika të brendshme të rrjetit, përfshi nivelet e pagesës së anëtarësisë.
 
Gjatë takimit u ofruan edhe të dhëna mbi punën e Forumit Kulturor gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave nga raporti vjetor i punës, gjatë viteve 2014 dhe 2015, Forumi Kulturor ka publikuar rreth 30 raporte hulumtimi dhe dokumente tjera, ka organizuar 8 fokus grupe, 5 debate publike dhe 2 konferenca vjetore, ka zhvilluar dy vizita studimore jashtë shtetit, ka realizuar aktivitete në mbi 10 qytete të Kosovës, ka qenë nxitës ose përkrahës i 4 forumeve lokale aktive të kulturës (Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan) dhe ka organizuar 2 punëtori (trajnime) dhe 3 sesione mentorimi për nevojat e organizatave anëtare. Anëtarët e Forumit Kulturor rekomanduan edhe forma të reja të veprimit në të ardhmen në mënyrë që të rritet efikasiteti i rrjetit dhe të ofrohen shërbime më të mira për organizatat anëtare. Në veçanti u diskutua për format e reja të veprimit në raport me autoritetet publike dhe zhvillimin e politikave adekuate publike në sektorin e kulturës.
 
Forumi Kulturor është etnitet i regjistruar si rrjet i organizatave të pavarura të kulturës si anëtare. Si sekretariat i përkohshëm i Forumit Kulturor është vendosur të jetë Teatri ODA deri në momentin e ngritjes së kapaciteteve për të formuar një Sekretariat profesional të rrjetit. Forumi Kulturor i Kosovës është Rrjet i Organizatave të Pavarura të Kulturës të Kosovës themeluar me qëllim të fuqizimit të  organizatave të pavarura kulturore, afirmimit të  organizatave anëtare, përfshirjes  së organizatave anëtare në proceset vendimmarrëse, rritjes së përkrahjes së skenës së pavarur të kulturës dhe mbrojtjes e përmirësimit të pozitës së organizatave anëtare karshi institucioneve relevante të Kosovës dhe jashtë saj. 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: