INICIATIVA PËR MBROJTJEN E KINO LUMBARDHIT

E hënë, 13 tetor 2014

Vendimi Kuvendit të Komunës së Prizrenit për të shpallë Kino Lumbardhin si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik (shoqëror), është mirëpritur nga shoqëria civile kosovare. Megjithatë, ndër veprimet e propozuara pas dhënies së këtij statusi, në vendim përmendet edhe “zgjerimi i rrugës”, i cili sipas organizatave civile është në kundërshtim të drejtpërdrejt me qëllimin e shpalljes e kësaj hapësire si zonë publike. Për këtë arsye më se 50 organizata të shoqërisë civile nga e gjithë Kosova, janë bashkuar rreth “Iniciativës për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit”. Organizatat e shoqërisë civile përmes një deklarimi të përbashkët kanë qartësuar qëndrimin e tyre të vendosur kundër rrënimin të ndërtesës apo tjetërsimit të funksionit primar të Kino Lumbardhit.

Iniciativa për Mbrojtjen e Kino Lumbardhit është e strukturuar rreth një numri veprimesh, që do ta pasojnë këtë deklaratë të përbashkët, ndërsa rekomandimet për institucionet shtetërore janë:

  • Largimi i propozimit për “zgjerimin e rrugës” nga vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e statusit të interesit të përgjithshëm publik Kino Lumbardhit,
  • Ndalja e procesit të privatizimit (përmes likuidimit) të Kino Lumbardhit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit,
  • Shpallja e Kino Lumbardhit si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
  • Themelimi i një grupi punues në bashkëpunim me komunitetin e kulturës për të hartuar planin e menaxhimit për Kino Lumbardhin,
  • Ngritja e fondeve nga buxheti shtetëror, donatorët ndërkombëtar dhe palët e tjera për restaurimin dhe rifunksionalizimin e ndërtesës së Kino Lumbardhit,
  • Menaxhimi i Kino Lumbardhit nga një trup i përbashkët që do të mandatohet për zbatimin e planit të menaxhimit që do ta funksionalizojë atë si hapësire e përbashkët kulturore me destinimin primar si kinema e qytetit,
  • Themelimi i një grupi ekspertësh (multidisiplinar) nga Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës për t’i shqyrtuar mundësitë alternative të zgjidhjes së problemit në rrugën kryesore.


Për më shumë, shih https://www.facebook.com/perlumbardhin
 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: