BANORËT E "BETEJËS SË PASHTRIKUT" KËRKOJNË ZGJIDHJE TË MENJËHERSHME TË PROBLEMIT TË UJIT

E enjte, 03 shtator 2015

Banorët e rrugës “Beteja e Pashtrikut” në lagjen e Transitit në Prizren, të cilët prej vitesh përballen me mungesë të ujit të pijshëm, kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” zgjidhjen e problemit të ujit. Në një takim të mbajtur nga EC Ma Ndryshe banorët kanë shprehur nevojën e shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në afatin sa më të shkurtër kohor në këtë lokalitet dhe kanë insistuar që të gjindet një zgjidhje, në mënyrë që të furnizohen me ujë të pijes. 

Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani ka pranuar se kjo  çështje kërkon një zgjidhje, dhe ka sugjeruar që zyrtarët e “Hidroregjionit Jugor” t’i prijnë nismës që do të çonte drejt gjetjes së fondeve për realizimin e projektit të shtrirjes së ujësjellësit. 

Menaxheri i projekteve në “Hidroregjionin Jugor”, Zenel Zenelaj ka bërë të ditur se kjo ndërmarrje është shërbyese dhe se nuk ka pozicione për investime kapitale për shtrirjen e rrjetit në këtë rrugë dhe se në këtë aspekt ka varshmëri në Komunën e Prizrenit. Sipas tij, kjo kompani ka hartuar projektin për shtrirjen e ujësjellësit në këtë lagje, paramasa e të cilit kap shumën prej mbi 240 mijë eurove. 

Banorët kanë theksuar se institucionet duhet t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në mënyrë që të realizohet projekti i ujësjellësit dhe kanë shprehur gatishmërinë që kërkesën e tyre ta paraqesin edhe në diskutimin publik për hartimin e buxhetit komunal 2016-2018. 

 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: