EC MA NDRYSHE PUBLIKON RAPORTIN "ZHDUKJA E GJURMËVE - QENDRAT HISTORIKE TË KOSOVËS"

E premte, 11 shtator 2015

EC Ma Ndryshe publikon raportin hulumtues “Zhdukja e gjurmëve – Qendrat historike të Kosovës”, me anë të të cilit synohet pasqyrimi i përgjithshëm i statusit të mbrojtjes së qendrave urbane me karakter historik në Kosovë. Raporti përmbledhë të dhëna konkrete për zhvillimin urban, të kaluarën e qendrave historike, dokumentet që kanë tentuar përkufizimin dhe ruajtjen e këtyre hapësirave, përfshirjen e një numri objektesh që janë në listën e mbrojtjes së përkohshme të MKRS dhe atyre që nuk janë, por që për qytetarët mund të jenë pjesë e kulturës dhe kujtesës së tyre kolektive. Në fokus të këtij raporti janë 8 qytete: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjilani, Mitrovica, Vushtrria dhe Rahoveci. 

Raporti vë në pah qendrën historike urbane në Kosovë si shembull të zonave të degraduara, struktura e të cilave nuk ka mundur t’i përballojë kërkesat aktuale të tregut, ekonomisë, interesave private, etj, të cilat përfunduan në këtë formë për shkak të kaosit ndërtimor të pasluftës, shkeljeve të rregullave urbanistike, neglizhencës institucionale, moskoordinimit ndërmjet institucioneve kryesore qendrore dhe lokale në fushën e trashëgimisë dhe planifikimit hapësinor, si dhe mungesës së mbrojtjes ligjore të përhershme, e shumë faktorëve të tjerë, këto qendra çdo ditë e më shumë po vazhdojnë të pësojnë dëmtime të pakthyeshme dhe po rrezikojnë shlyerjen e plotë të kujtesës kolektive të këtyre qyteteve. 

Raporti konstaton se një nga veprimet urgjente që institucionet duhet të ndërmarrin drejt mbrojtjes së kujtesës kolektive të qyteteve, është vënia nën mbrojtje e këtyre tërësive, me hartimin e dokumenteve që rregullojnë dhe përvijojnë masat që duhet të ndërmerren për konservimin por edhe menaxhimin e këtyre zonave, me një perspektivë të zhvillimit të qëndrueshëm urban, ku me ndalimin e trendit të degradimit, trashëgimia do të vihej në funksion të zhvillimit të përgjithshëm kulturor, shoqëror dhe ekonomik të qyteteve të lartpërmendura.

Raportin “Zhdukja e gjurmëve – Qendrat historike të Kosovës” mund ta lexoni në linkun: http://ecmandryshe.org/repository/docs/150908124555_EC_Qendrat_Historike.pdf 

 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: