DEBATI "SHTETI DHE KULTURA E PAVARUR"

Sot është mbajtur debati Shteti dhe Kultura e pavarur në Prishtinë, organizuar nga Forumi Kulturor i Kosovës. Temë qendrore e këtij debati ishte mënyra e menaxhimit të fondit për skenën e pavarur të kulturës nga Ministria e Kulturës, duke synuar përmirësimin e komunikimit për të gjetur modelin më të mirë të financimit publik. Ky debat është pjesë e përpjekjeve të Forumit Kulturor për të strukturuar dialogun mes skenës së pavarur kulturore dhe institucioneve të shtetit mbi agjendën shtetërore të kulturës.
Në debat u diskutua për mospëlqimin e skenës së pavarur kulturore për shkurtimin e buxhetit nga ana e Ministrisë së Kulturës. U shtrua çështja e ndarjes në dy konkurse për subvencionet që jepen çdo vit dhe konkursi i paraparë për qershor, pas atij te janarit, gjithashtu u diskutan dhe të hollat që pretendohen që janë dhënë pa konkurs. U shtjellua shqetësimi për trajtimin e instuticioneve të pavarura kulturore si institucione private pa barazinë me ato shtetërore në konkurse të ministrisë. Palët u pajtuan për bashkëpunim më të mirë dhe inkuadrim të komunitetit artistik në hartimin e kritereve dhe konkurseve në të ardhmen.
Debati mbahet në kuadër të projektit Forumi për Zhvillim Kulturor, i cili ka për qëllim të zhvillojë më tutje dhe të forcojë Forumin Kulturor të themeluar në vitin 2011. Projekti Forumi për Zhvillim Kulturor është i mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Olof Palme International Center, ndërsa bartës të projektit janë Forumi Kulturor, Teatri ODA dhe DokuFest. Projekti Forumi për Zhvillim Kulturor ka filluar me aktivitetet e para në dhjetor të vitit 2013 ndërsa parashihet të zgjasë deri në nëntor të vitit 2015. Në një periudhë dy vjeçare, Forumi për Zhvillim Kulturor do të prodhojë të paktën 28 produkte të politikave të kulturës (rreth gjysma e tyre tashmë janë publikuar), të cilat do të rezultojnë nga hulumtime, debate, fokus grupe dhe konferenca. Projekti do të forcojë rrjetin e komunitetit të kulturës së pavarur, të ndërtojë kapacitetet e saj të brendshme dhe të ndikojë në hartimin e politikave kulturore të Kosovës përmes prodhimit të dijes për kulturë. Po ashtu, projekti do të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin mes sektorit të kulturës së pavarur dhe autoriteteve publike në mënyrë që të dalë me zgjidhje konkrete për zhvillimin kulturor në Kosovë.
