FOKUS GRUPI "SI TË MATET KULTURA"

Në kuadër të projektit Forumi për Zhvillim Kulturor, i cili ka për qëllim të zhvillojë më tutje dhe të forcojë Forumin Kulturor të themeluar në vitin 2011, duke ofruar këshilla dhe njohuri të vlefshme për politikat kulturore të Kosovës u mbajt fokus grupi Si të matet kultura.
Të pranishmit në fokus grup diskutuan rreth çështjeve të trajtuara në hulumtimin e rradhës të projektit, i cili po i analizon mundësitë për të ndërtuar një sistem matës (vlerësues) për sektorin e kulturës në Kosovë. Raporti i këtij hulumtimi do të publikohet gjatë muajit Korrik 2015, ndërsa gjatë fokus grupit u validuan të gjeturat preliminare të hulumtimit.
Përfaqësues të Agjansisë së Statistikave të Kosovës, Drejtorisë Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, profesionist të fushës për trashëgëmi dhe përfaqësues të shoqërisë civile, diskutuan rreth problemit të matjes së kulturës në nivelin lokal dhe atë qëndror dhe mënyrën e krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm të matjes së përgjithshme të prodhimit kulturor në vend.
Projekti Forumi për Zhvillim Kulturor ka filluar me aktivitetet e para në dhjetor të vitit 2013 ndërsa parashihet të zgjasë deri në nëntor të vitit 2015. Në një periudhë dy vjeçare, Forumi për Zhvillim Kulturor do të prodhojë të paktën 28 produkte të politikave të kulturës, të cilat do të rezultojnë nga hulumtime, debate, fokus grupe dhe konferenca. Projekti do të forcojë rrjetin e komunitetit të kulturës së pavarur, të ndërtojë kapacitetet e saj të brendshme dhe të ndikojë në hartimin e politikave kulturore të Kosovës përmes prodhimit të dijes për kulturë. Po ashtu, projekti do të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin mes sektorit të kulturës së pavarur dhe autoriteteve publike në mënyrë që të dalë me zgjidhje konkrete për zhvillimin kulturor në Kosovë.

